Të nderuar nxënës, sot për ju fillon viti i ri shkollor. Ju uroj që ta filloni sa më mbarë dhe t’i përkushtoheni mësimit dhe edukimit tuaj. Për dallim nga vendbanimet tjera të komunës tonë, për fat të keq bashkëmoshatarët tuaj nga vendbanimi Novo Sellë, nuk do mund të vijojnë mësimin në ambientet e shkollës, por edhe këtë fillim viti shkollor do e nisin në objekte private. Komuna e Bogovinës ka siguruar mjete për mirëmbajtje që edhe këta nxënës të kenë kushtet për të mësuar, por jemi të vetëdijshëm se as për së afërmi nuk u afrohen kushteve të një shkolle normale. Ju njoftojmë se Komuna e Bogovinës i ka plotësuar të gjitha kërkesat nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i ka dorëzuar që më datë 17.11.2017. Pas kësaj u njoftuam se ndërtimi i shkollës së Novosellës është paraparë për ndërtim në buxhetin e vitit 2018. Por, siç edhe vetë konstatoni kjo nuk ndodhi. Edhe njëherë kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që sa më shpejtë të fillojë me ndërtimin e shkollës në Novo Sellë, me qëllim që nxënësit të kenë mundësi që mësimin ta vijojnë në kushte normale. Ky nuk është reagimi i parë nga ana jonë ku kërkojmë nga kjo Ministri që këtë problem ta merr më se seriozisht, sepse këtu flasim për fëmijët tonë, fëmijët shqiptar të cilët meritojnë të jenë të trajtuar më së miri. Ne si komunë do të vazhdojmë të ndihmojmë proçesin arsimor në Novo Sellë, por kaq janë mundësitë dhe kompetencat tona. Ju kujtojmë se kompetencat për ndërtimin e objekteve arsimore i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Kryetari i Komunës së Bogovinës
Albon Xhemaili
2.09.2018
Leave Your Comment
You must be <a href="https://new.komunabogovine.gov.mk/wp-login.php?redirect_to=https%3A%2F%2Fnew.komunabogovine.gov.mk%2F2018%2F09%2F03%2Fministria-e-arsimit-dhe-shkences-urgjentisht-te-filloje-shkollen-fillore-ne-novo-selle%2F">logged in</a> to post a comment.